Historia & Arkeologjia 1327 Aksesime

Manastiri i Shën Marenës në Llëngë

Rreth Manastiri i Shën Marenës në Llëngë

EMËRTIMI: Manastiri i Shën Marenës në Llëngë
ADRESA: Fshati: Llëngë, Njësia Administrative: Trebinjë, Bashkia: Pogradec
PRONËSIA: Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
PËRDORIMI I SOTËM: Objekt kulti me destinacion kulturor
PËRDORIMI FILLESTAR: Objekt kulti
DATIMI: Shek.XVIII m.Kr
SHPALLJA MONUMENT:Vendimi nr.506 aprovuar nga ligji nr. 609 dt. 24/05/1948 Vendimi nr. 4874 dt. 23/09/1971
KATEGORIA E MONUMENTIT:  I – E parë
PËRSHKRIMI: Ndodhet fare pranë fshatit Llëngë, në krahinën e Mokrës së Sipërme. Manastiri përbëhet nga një kompleks vendesh në pronësi të tij si kisha e Shën Marenës, Konakët, Najazma dhe shpella e Shën Marenës. Vendin kryesor në këtë kompleks e zenë kisha dhe konakët.
1-Kisha e Shën Marenës është një ndërtese e vogël njënefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor i hapur në formë harkade dhe një këmbanore me dy këmbana. Ambientet e brendshme të saj janë zbukuruar të gjitha me afreske. Kthina e altarit të kishës ndahet nga naosi nëpërmjet një ikonostasi prej druri 6,5 m i gjatë dhe 4 m i lartë, që për nga stili i dekorimit është i njëjtë me ikonostasët e kishave të Voskopojës dhe Vithkuqit. Tavani i kishës është prej druri dekorativ të pikturuar. Afreskët e kishës janë ndarë në pesë breza horizontalë të pikturuar nga mjeshtri Kostandin Shpataraku. Ai ka pikturuar gjithashtu edhe disa ikona të ikonostasit, kryqin mbi të, dyert e bukura si edhe një balkadin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla. Motivet e pikturuara janë motivet kishtare tipike të kohës si skena nga jeta e Krishtit, Shën Marisë dhe vetë Shën Marenës së cilës i dedikohet kisha. Ato i përkasin që të gjitha periudhës së ndërtimit të kishës, pra vitit 1754.
2-Konakët ndodhen në veriperëndim të kishës dhe janë ndërtuar në të njëjtën periudhë me të. Ato shërbenin jo vetëm për strehimin e personelit të manastirit por edhe për besimtarët e shumtë që vizitonin kishën. Gjatë viteve të komunizmit konakët shërbyen për disa kohë fillimisht si repart ushtarak dhe më vonë si zyra për Ndërmarrjen Pyjore. Pas vitit 1990 ato u rikthyen sërish në shërbim të besimtarëve.
3-Najazma ndodhet në perëndim të kishës së Shën Marenës, rreth 20 min larg saj dhe fare pranë lumit Shkumbin. Përbëhet nga një çezmë nga e cila rrjedh pashtershëm ujë mjaft i pastër të cilin besimtarët e quajnë të bekuar.
4-Shpella e Shën Marenës ndodhet në juglindje të rrugës që të çon nga kisha tek vendi i quajtur Kryqi. Kjo është një shpellë karstike me gjatësi 180 m e cila përbëhet nga disa zgjerime dhe ngushtime që krijojnë dhomëza të vogla. Përbërja gjeologjike e shkëmbit është gëlqerore dhe në kontakt me ujin ajo ka krijuar gurë me kristale të ndritshme të cilët konsiderohen si fatsjellës nga besimtarët prandaj askush nuk largohet prej këtu pa marrë me vete një copë të vogël nga këta gurë. Sipas legjendës, në këtë shpellë strehoej Shën Marena në kohën kur ajo fshihej prej përndjekësve të saj të cilit donin ta vrisnin për shkak të besimit të saj.
GJËNDJA AKTUALE: Në gjendje të mirë
LARGËSIA NGA QËNDRA E QYTETIT TË POGRADECIT: 35 km në perëndim.
SI SHKOHET: Për shkak të rrugës së pashtruar këshillohet që udhëtimi për në manastir të kryhet me makina të larta 4 x 4. Makina shkon deri në vëndin e quajtur “Kryqi”, mbi fshatin Llëngë. Më tutje, udhëtimi kryhet vetëm me këmbë por nuk zgjat më shumë se 15 min.

Facilitete

  • Monument Kulturor

Tags

Vendndodhja :

  • Adresa : Fshati: Llëngë, Njësia Administrative: Trebinjë, Bashkia: Pogradec