Zhvillohet festivali i akuarelit në Pogradec
Pogradeci mirëpriti për herë të parë Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit, një event kulturor që bashkoi artistë nga më shumë se 30 vende të botës, duke u bërë për këtë kohë epiqendër e kulturës.
Sipas organizatorëve, Pogradeci është qyteti i duhur për realizimin e një festivali të tillë në përmasa të mëdha. Në event u shfaqën 200 vepra nga artistë të mbi 30 vendeve të botës, si India, Turqia, Italia, Greqia, Kosova, Shqipëria, Brazili, Malajzia, Bangladeshi, Meksika, Bullgaria, Spanja, Portugalia, Korea, Lituania, Vietnami, Singapori e shumë vende të tjera.
“Pogradeci ka të gjitha mundësitë për të realizuar një festival të tillë në një shkallë më të gjerë”, thotë organizatori Armand Xhika
Pjesa më e madhe e artistëve të huaj e vizitonin për herë të parë qytetin. Ata u shprehën të mahnitur nga bukuria dhe frymëzimi që ofron Pogradeci me liqenin e tij legjendar.
“E pëlqej këtë qytet, më tepër i zhvilluar se sa mendoja. Sot pikturoja një pamje fantastike, një nga më të bukurat që kam vizatuar ndonjëherë. Ky event ngre zonën dhe promovon turizmin”, thotë autori indian Hamit Kappor
“Ky është qyteti i artit, më jep nder të jem pjesë e këtij festivali. Pogradeci mund të bëhet qendër arti në Shqipëri”, thotë autori turk Atanur Dogan.
“Është nder të jesh këtu. Akuareli erdhi në këtë qytet dhe na keni mikpritur me ngrohtësi. Dëshirojmë të bashkëpunojmë gjithmonë me shqiptarët”, thotë autori italian Giovanni Balzarani për mediet.
Një pjesë e punimeve të festivalit do t’i dhurohet fondit të Galerisë së Artit të Pogradecit, ndërsa artistët realizuan krijime edhe në destinacione të tjera të zonës, si Tushemishti, Lini dhe Varret e Selcës. A.K./TemA
