Blogerë 1628 Aksesime

Zgjidhni Pogradecin, sepse do të bëni edhe një udhëtim në kohë

Nga Iva Tiço/ Kujtimi im i parë me Pogradecin i takon fundit të klasës së pestë, në një kamp pionierësh. Nga ato pushime kam ndjesi të trazuara: rrugën e gjatë me autobus nga Fieri e deri në fund të botës (ndaj dhe qava aq shumë gjatë të gjitha ditëve, aq larg sa ishte më dukej se nuk do t'i shihja më kurrë prindërit), mallëngjimin që të jepte një qytet që ishte aq ndryshe, me një tjetër lloj freskie, butësie, plot me lule ndanë çdo rruge e rrugice, sidomos me petunia, aroma e të cilave ndehej mbi qytet dhe e kam ende të gjallë në kujtime (bashkë me erën e tmerrshme të kuzhinës së kampit, që për fat keq ka mbetur gjithashtu në kujtesë).

 

Kaq shumë vite më pas, aroma e petuniave nuk ka ndryshuar në këtë qytet, ashtu siç nuk ka ndryshuar dhe magjepsja e liqenit. Dhe bashkë me to shumë gjëra të tjera kanë mbetur po njëlloj, me gjithë ndërtimet e reja, rrugët e ndryshuara, kampin që kujtesa nuk e gjall dot ekzaktësisht se ku ka qenë? Por Pogradeci, në gjithë këto vite, kurdo që kam kaluar apo kam qëndruar, më është dukur si një udhëtim në kohë. Dhe kjo pak ka të bëjë me nostalgjinë e fëmijërisë. Për fat të mirë apo të keq, ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, aty është vënë më pak dorë, ndaj dhe shumë gjëra janë ruajtur. Ose, sepse, megjithë ndërtimet e reja, nuk janë bërë gabime e masakra si në Durrës, Sarandë e gjetkë. Por, ndoshta kjo ka ardhur dhe për shkak të banorëve të këtyre anëve: jo rastësisht shpirti i korçarëve e pogradecarëve ka bërë që këto dy qytete të mbeten më të paprekurat në gjithë Shqipërinë kaotike. Ndaj ia vlen t?i falënderojmë ndër të tjera, që na lënë nostalgjinë gjallë. Dhe nëse mundemi, t?ua shpërblejmë duke udhëtuar pak më shumë drejt atyre anëve. Ka kaq shumë arsye përse të shkosh. Më poshtë po numëroj thjesht disa që ia vlejnë për mua:

 

 

 

  • Për liqenin, patjetër. Eshtë vërtet më i bukuri. Arrin të prekë edhe shpirtin më pak poetik në botë, të zbusë më cinikun, të shkrijë më romantikët, të kthehet në frymëmarrje, në jetë, për të gjithë ata që duan klimën e shëndetshme. Zgjimi në një dhomë me pamje nga liqeni është një nga gjërat më fantastike që mund të përjetosh. Pastaj mund ta admirosh liqenin në ditët kur është blu, kur shndërrohet në të gjelbër, kur stërpiket me diell, kur pushon i qetë, kur zemërohet e bëhet gri, madje dhe në ato ditë kur merr ngjyrë vjollcë, kur pasqyron retë por dhe kur mbi sipërfaqen e tij nxjerrin kokë pyjet e nënujshëm barishtorë. Aty mund të mendosh se Lasgush Poradeci nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, në fund të fundit: të gjitha i ka bërë vetë liqeri.

 

 

 

 

  • Sepse plazhi është i pastër. Po, është vërtet. Mund të bëhet plazh në qytet, të lahesh në liqen mes mjellmave dhe çafkave dhe plazhi këtu është mjaft i rekomandueshëm. Tashmë ujërat e zeza kanë gjetur zgjidhje dhe përveç njerëzve të pakujdesshëm, që vijojnë e bëjnë të tyren si kudo, duke hedhur edhe këtu ç?të munden në liqen, pjesa tjetër është shumë OK. Shezlongët kushtojnë shumë lirë, 300 lekë më të mirët, me dërrasë dhe dyshek sipër, pedalierat gjithashtu, që merren me qira për të bërë xhiro në liqen dhe gjithçka tjetër rreth e rrotull është më lirë se në çdo plazh. Madje ka dhe shumë hapësira publike. Mund të ngulësh çadrën tënde, të hapësh karriget apo peshqirët mbi rërë dhe të rehatohesh pa paguar asgjë. Tamam siç bënim dikur.
  • Eshtë parajsë për moshat e treta. Sidomos për klimën. Por edhe për qetësinë. Dhe sidomos për lulishten. Ata që nuk duan të bëjnë plazh, mund ta kalojnë ditën në karrige apo të shtrojnë batanije në bar, nëpër gjithë vijën e gjelbër ndanë liqenit. Nëse u paguan prindërve një pushim të tillë, me siguri kur të kthehen do të të urojnë që u ke shtuar jetën.

 

 

 

 

  • Sepse është ende lirë. Së paku më lirë sesa në shumë pjesë të tjera të Shqipërisë. Ka akomodim dhe ushqim për të gjitha llojet e buxheteve. Dhe meqenëse bëhet fjalë për një nga zonat më të pastra dhe nikoqire të Shqipërisë, mund të hahet mirë dhe pastër edhe në rrugë, edhe në restorantet më të shtrenjta.
  • Sepse gatuhet vërtet shumë mirë. Dhe veç koranit e belushkës, krenaritë e kuzhinës së liqenit, kanë nisur të hapen dhe restorante me kuzhinë të sofistikuar ndërkombëtare. Gjithsesi, më të kërkuarat sigurisht janë gatimet e zonës, që kanë pësuar edhe ndryshime, për t?u bërë moderne ose më atraktive. Veç tavës klasike të koranit, është shtuar dhe ajo me pana dhe arra, rosa e pjekur ofrohet në pamje spektakolare, bashkë me zjarr, me kamerierin që pyet fillimisht nëse do bësh video, kurse për lakrorin ekzistojnë gjithmonë kutitë e ambalazhit, për ta marrë me vete në Tiranë. Bakllavaja është fiks si ajo që hahej dikur: borë e bardhë, me shumë petë të holla fare, me shijen e gjalpit por që kohët moderne i kanë shtuar dhe shoqërimin me akullore ose me fruta. Dhe ?shpikja? më e pëlqyer: bakllavaja me verë të kuqe. Thjesht fantastike.

 

 

 

 

  • Sepse nuk do blini asnjë ditë shishe me ujë pa gaz. Uji në qytet, ai që del nga çezma, jo vetëm është i pastër dhe i ftohtë, por ta servirin gjithmonë bukur, me kana ose me shishe qelqi. Madje të risjellin një kanë të dytë pas disa kohësh, kur uji në tryezë të ketë nisur të ngrohet. Dhe e mira është që nuk duhet ta kërkosh, të vjen vetë gjithmonë nga kamerierët, që janë të sjellshëm dhe diskretë njëkohësisht, siç do t'i kishte zili çdo qytet turistik (a mund të çojmë vlonjatët për trajnim atje?!)
  • Eshtë qyteti më ?pet-friendly? që kam parë ndonjëherë. Ata që kanë kafshë shtëpiake dhe stresohen se ku do t'i lënë kur të shkojnë me pushime, më kuptojnë mjaft mirë se çfarë dua të them. Nuk më ka zënë syri qytet në Shqipëri, ku qeni im të jetë llastuar ndonjëherë si në Pogradec, aq sa m'u mbush mendja se është i bukuri dhe i miri i dheut (jo se kisha ndonjë dyshim për këtë ;) ).
  • Sepse ofron xhiro dhe dans në vend të pjeshkërimit. Ata që duan jetën e natës me klubet fashion dhe shkuma party-t si në jug të Shqipërisë, bëjnë mirë t?i rrinë larg Pogradecit. Sepse atje nuk ka nga këto gjëra dhe bën mirë të mos ketë dhe në të ardhem, për aq kohë sa na duhet të kemi disa vende ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që gardërobën e bukur ta lëmë në shtëpi dhe të shkojmë për pushime me çfarë të na zërë dora. Sepse pogradecarkat nuk të falin në këtë pikë: çdo pasdite dalin xhiro të veshura e të ujdisura siç duhet. Jo vetëm të rejat, por edhe zonjat në moshë kanë një merak të madh për paraqitjen e jashtme. Xhiroja bëhet buzë liqenit, në trotuare dhe në rrugën, që pasdite kthehet në pedonale me të njëjtat rregulla që bëhej dikur, kurse tek ish-Kampi i Punëtorëve dhe tek Lulishte 1 Maji, ka çdo natë muzikë "live" dhe pistë vallëzimi, ku vendas dhe pushues hanë darkë dhe ?bëjnë dans?. Vallëzimi grua me grua është jo vetëm i lejuar, por merret shumë seriozisht: tango është diçka që bëhet dyshe dhe nuk ka rëndesi me kë e bën, rëndësi ka që të kënaqesh me gjithë shpirt. Dhe këtyre anëve dinë ta bëjnë vërtet çdo gjë me gjithë shpirt. Siç bëhej dikur. Sepse qyteti vërtet të kthen pas në kohë, por për fat të kthen tek më e mira e atyre kohëve.

Tags