Restaurohet ikona “Lindja e Krishtit”, ikona e shek. XVIII e pikturuar nga Kostandin Shpataraku
“Lindja e Krishtit” është ikona e shekullit të 18-të, e pikturuar nga Kostandin Shpataraku e cila është në proces restaurimi pranë laboratorit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Sipas restauratorit Genti Proko kjo ikonë është gjetur në kishën e Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit, aty ku autori i saj ka pikturuar edhe muralet e kishës.
“Kjo është ikonë e pikturuar nga Kostandin Shpataraku, dhe ka qenë në ikonostasin e kishës së Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit. Me sa di unë është e vetmja kishë ku Kostandin Shpataraku ka pikturuar dhe muralet e kishës”, u shpreh Proko.
Kostandin Shpataraku është një nga piktorët më të famshëm të shekullit të 18-të dhe njëkohësisht një nga piktorët e famshëm ikonografë shqiptarë, ndaj edhe ikonat e pikturuara prej tij konsiderohen me mjaft vlera.
“Ikona ruhet mirë në përgjegjësi, pa dëmtime por verniku është oksiduar dhe errësuar”, tha ai.
Pas restaurimit ikonat që kanë vlera, ashtu si edhe kjo ikonë e Kostandin Shpatarakut, vendosen në ekspozitën e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar për tu parë nga publiku. Kjo ekspozitë rinovohet herë pas here për të qenë gjithnjë atraktive për turistët e vizitorët e këtij muzeu. - RTSH-
