Blogerë 1141 Aksesime

Pogradeci, qyteti elitar i turizmit me mbi 220 mijë vizitorë

Është një nga qytetet më elitar të Shqipërisë, me kulturën, traditën dhe bukuritë natyrore, ku vizitori gjen prehje në të katër stinët e vitit.

Mihallaq Qirio, Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura për Qarkun Korçë, thotë për ATSH se këtë vit në zonën turistike të Pogradecit,  janë future mbi 220 mijë vizitorë.

Vetëm zonën e Prespës, e kanë vizituar më shumë se 80 mijë turistë të huaj dhe vendas.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, janë një atraksion i përhershëm turistik për natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Gjatë verës në brigjet e tij këtë vit pushuan rreth 200 mijë pushues pogradecar dhe  të ardhur nga i gjithë vendi dhe bota.

Liqeni i Ohrit është një perlë e papërsëritshme natyrore, klimatike, relaksuese dhe frymëzuese.

Por, Pogardeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin ti vizitosh.

Pogradeci ka një histori të lashtë dhe monumente kulturore, arkeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe  Enkelejve.

Gjatë shekujve e në vazhdim, njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit.

Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000 vjet para Krishtit), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Broncit dhe Hekurit.  Janë24 monumente natyre dhe 36 monumente të kulturës  zyrtarisht të dokumentuara.

Disa nga monumentet më interesante ku vizitori mund të qëndrojë janë: Rrënojat e një vendbanimi ilir dhe një kishë kristiane me mozaik shumëngjyrësh, që janë gjetur në fshatin piktoresk të Linit i cili ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Në fshatin e  Selcës së Sipërme, i populluar që nga shekulli VI para Krishtit, që kërkonte të bashkohej në betejat e Alexandrit të Madh, janë gjetur  pesë varre të lashtë monumentalë me hyrje të gdhendura që tregojnë famën e qytetit të fuqishëm antik të Pelionit, ku ka jetuar mbreti ilir, Klit.

Rruga Romake “Via Egnatia” kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës, është një tjetër atraksion për turizmin historik.

ra e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake.

Burime të shumta ujore përfshi burimet e Drilonit, ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon dhe më pas në liqen. Shpella të shumta dhe një kishë, ndodhen pranë Qafe-Thanës dhe kufirit me Maqedoninë.

Pikturat e bëra nga heremitët në mesjetë mund të shihen në kishë dhe në muret e shpellës. Në gadishullin e Linit mozaikët që datojnë shekullin e VI – VII të magjepsin me bukurinë e tyre, por gojëdhëna për perandorin Justinian të bizantit të shekullit të VI është shumë joshëse.  Rrënojat e kalasë të shekullit IV në kodrën mbi Pogradec, kanë disa formacione interesante me mure të parregullta gurësh.

Që nga kalaja e vjetër, liqeni dhe pamjet e maleve janë të mrekullueshme.

Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse.

Pogradeci ka një muze të pasur me dëshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kishën e vjetër ortodokse, që quhet Kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të Pogradecit, si dhe një kishë të re, më arkitekturë shumë të veçante të quajtur Ringjallja. Qyteti gjithashtu ka dy xhami. Njëra ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë.

Plazhi i Pogradecit

Është një plazh me rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argëtime. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë privatë e publikë, me rërë e guralecë të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushemishtit.

Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet edhe pika turistike  e Drilonit.

Pogradeci ofron shumë mundësi per turizëm ujor, malor dhe historik.

Infrastruktura rrugore është shumë e mirë dhe ndodhet në një kryqëzim rrugësh që lidhin disa qytete të zhvilluara të vendit tonë si Korça, Elbasani, Struga dhe rruga për të udhëtuar drejtë Kapshticës dhe Greqisë.

Hoteleria dhe akomodimi në Pogradec është në nivelin më të lartë.

Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme.

Një mrekulli më vete është dhe Manastiri i Shën Marenës, e cila do vërtetë mundim t’i shkosh pranë, sepse është  disa Km. larg dhe rruga automobilistike e dëmtuar.

Por, për aventurierët e maleve dhe të ecjeve sportive është i mundur.  Pogradeci, qyteti elitar i Shqipërisë vizitohet në të katër stinët.

ATSH

Tags