PIKTURA E DITËS: "Liqeni i Pogradecit"- Nga Vangjush Mio, peizazh i vitit 1929
Në pikturën më lart artisti Vangjush Mio ka paraqitur liqenin e Pogradecit me ngjyra të ngrohta dhe dritë të butë, duke kapur qetësinë dhe bukurinë e peizazhit natyror.
Vepra është realizuar në vitin 1929. Reflektimi i ujit krijon një ndjesi harmonike, duke treguar lidhjen intime të artistit me natyrën dhe vendlindjen.
Vangjush Mio konsiderohet impresionisti më i përkryer shqiptar i shekullit të XX-të.
I formësuar mirë si artist, nga dy shkolla arti të ndryshme, e Bukureshtit dhe e Romës, por shumë të rëndësishme në formimin e tij si artist, pas studimeve të larta, u kthye në Korcën e tij të dashur, të kulturuar dhe artdashëse, ku krijoi studion e punës dhe iu përkushtua pikturës.
Nga viti 1920 deri në 1924 studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe në vitet 20 udhëtoi në të gjithë Italinë.
Kur u kthye në Korçë, qyteti më i kulturuar dhe më i zhvilluar i asaj kohe në Shqipëri, ai krijoi shoqatën e arteve të bukura dhe në raste të ndryshme ekspozoi punimet e tij, duke u kthyer në një nga piktorët më të famshëm shqiptarë të asaj periudhe.
Nga viti 1934, ai ishte gjithashtu mësues vizatimi në liceun francez të qytetit.
Në 1965 u realizua dokumentari shqiptar "Vangjush Mio, piktor i popullit", i cili trajton jetën dhe veprën e piktorit.
