Shtegu Pogradec-Kodra e Kalasë së qytetit
Rreth Shtegu Pogradec-Kodra e Kalasë së qytetit
Pas ngjitjes për gati 30 minuta shteg ecje në këmbë, ne do të përballemi me një pamje të mahnitshme të Liqenit të Ohrit ku thuajse do ta kemi në pëllëmbë të dorës atë. Kalaja e qytetit do të na ofrojë edhe një pamje të gjerë të shtrirjes së qytetit të Pogradecit. Pamja e qytetit dhe liqenit këtu është e mrekullueshme dhe ideale për frymëzimin e piktorëve. Gjatë udhëtimit turistët do të ndalen në majë të kodrës për të shijuar pamjen si edhe për tu njohur me historinë e kalasë së qytetit, historinë e fisit ilir të Enkelejtëve , si edhe historikun e krijimit dhe popullimit të qytetit të Pgradecit.
Kalaja e Pogradecit ndodhet në jugperëndim të liqenit të Ohrit, mbi qytetin e Pogradecit, në një kodër rreth 800 m të lartë . Gjurmët më të hershme të banimit i përkasin shek. V p.l.K kur ai ka ekzistuar si një vendbanim i pafortifikuar. Në shek. IV p.l.K, ai pajiset me mure mbrojtëse dhe fillon të shërbejë si një qëndër e vogël qytetare banorët e së cilës merreshin kryesisht me bujqësi, peshkim dhe zeje të ndryshme. Kjo qëndër kishte marrdhënie edhe me qëndërbanimet fqinje. Në gjysmën e dytë të shek. II p.l.K, gjatë luftrave iliro-romako-maqedone, vendbanimi shkatërrohet nga një zjarr i fuqishëm i cili mund të jetë shkaktuar gjatë ndonjë beteje mes forcave kundërshtare. Kjo konfirmohet edhe nga gërmimet arkeologjike të cilat kanë evidentuar gjurmët e një shtresë hiri që i përket shtresës kulturore të shek. II p.l.K. Pas luftrave banorët e ringritën vendbanimin por nuk e rrethuan sërish me mure sepse gjatë kësaj periudhe, që përkon me periudhën Romake, territoret e pushtuara nga Roma, ku futej edhe rajoni i Pogradecit, përjetuan një epokë tre shekullore paqeje gjatë së cilës nuk ishte i nevojshëm fortifikimi i vendbanimit. Fillimi i dyndjeve barbare në shek. IV m.Kr solli nevojën e ringritjes së mureve rrethuese të cilat u ndërtuan mbi gjurmët e murit antik. Ky fortifikim i ri i shërbeu banorëve deri në shek. IX m.Kr kur vendbanimi u shkatërrua prej pushtuesve sllavë dhe u braktis përfundimisht nga banorët, të cilët shkuan të jetojnë në rrëzë të tij.
Ky shteg fillon nga qendra e qytetit të Pogradecit ku do të udhëtohet në këmbe për 30 minuta deri majë të kodrës së Kalasë (shteg ngjtje në këmbë). Distanca midis Pogradecit deri në kodrën e kalasë është 3.3 km.
Rruga drejt majës së kodrës nuk është e shtruar dhe mund të kryhet me xhip të lartë 4x4.
Facilitete
- Bidona Uji me Vete
- Duhet Ushqim me Vete
- Ne Kembe