MANASTIRI I SHËN MARENËS
Rreth MANASTIRI I SHËN MARENËS
Ndodhet fare pranë fshatit Llëngë, në krahinën e Mokrës së Sipërme. Manastiri përbëhet nga një kompleks vendesh në pronësi të tij si kisha e Shën Marenës, Konakët, Najazma dhe shpella e Shën Marenës. Vendin kryesor në këtë kompleks e zenë kisha dhe konakët. Kisha e Shën Marenës është një ndërtesë e vogël njënefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor i hapur në formë harkade dhe një këmbanore me dy këmbana. Ambientet e brendshme të saj janë zbukuruar të gjitha me afreske. Kthina e altarit të kishës ndahet nga naosi nëpërmjet një ikonostasi prej druri 6,5 m i gjatë dhe 4 m i lartë, që për nga stili i dekorimit është i njëjtë me ikonostasët e kishave të Voskopojës dhe Vithkuqit. Tavani i kishës është prej druri dekorativ të pikturuar. Afreskët e kishës janë ndarë në pesë breza horizontalë të pikturuar nga mjeshtri Kostandin Shpataraku. Ai ka pikturuar gjithashtu edhe disa ikona të ikonostasit, kryqin mbi të, dyert e bukura si edhe një balkadin me15 figura dhe 17 ikona të vogla. Motivet e pikturuara janë motivet kishtare tipike të kohës si skena nga jeta e Krishtit, Shën Marisë dhe vetë Shën Marenës së cilës i dedikohet kisha. Ato i përkasin që të gjitha periudhës së ndërtimit të kishës, pra vitit 1754.
Facilitete
- Mundësi Parkimi
- Monument Natyror
- Monument Kulturor
