LIQENI NË UNESCO
Rreth LIQENI NË UNESCO
LIQENI NË UNESCO
Karakteristikat e liqenit, flora dhe fauna. Liqeni i
Pogradecit (i Ohrit) është një nga rezervatet
biologjike më të pasura dhe më të çmuara të Europës. Ai shkëlqen sinjë sistem unikal pasi karakterizohet nga një biodiversitet me shumë specie endemike të florës dhefaunës. Lartësia e tij mbi nivelin e detit është 695 m ndërsa sipërfaqja shkon deri në 358,2 km². 2/3 e kësaj sipërfaqeje i përkasin Maqedonisë ndërsa 1/3 Shqipërisë. Bregu i liqenit ka një shtrirje të përgjithshme prej 87,5 km (rreth 31 km i përkasin Shqipërisë), gjatësia maksimale e të cilit arrin në 30,8 km ndërsa gjerësia maksimale në 14,8 km. Liqeni ka një thellësi mesatare prej 164 m ndërsa thellësia maksimale shkon në 289 m. Ai ushqehet vazhdimisht nga një rrjet prej më shumë se 40 lumenjsh dhe rrjedhash të vogla uji ndërkohë që prej tij buron lumi i Drinit të Zi. Ky proçes i lëvizjes së ujërave prej burimeve hyrëse dhe dalëse bën të mundur që uji i liqenit të rigjenerohet plotësisht çdo 70 vjet. Përveçse për ujërat shumë të pastra, liqeni është i njohur edhe për ekosistemin e tij të veçantë i cili konsiderohet si një “muze në natyrë” dhe si një “qëndër natyrore” për ruajtjen e biodiversitetit dhe të peisazhit të tij. Ai është habitati i më shumë se 1400 specieve autoktone të florës dhe të faunës, 300 prej të cilave janë endemike. Prania e tyre në liqen është kushtëzuar nga shumë faktorë si mosha shumë e vjetër e liqenit, pozicioni i tij gjeografik, izolimi nëpërmjet një kurore malesh dhe kodrash si edhe gjëndja ende në fazën oligotrofike e ujërave të tij (oligotrofi = prani e pakët e algave çka sjell si rrjedhojë ujëra të pastra dhe të pasura me oksigjen). Ndër speciet autoktone të liqenit 21 janë lloje peshku prej të cilave 10 janë endemike. Më të njohurat nga këto janë Salmo letnica (Korani) dhe Salmothimus ohridanus (Belushka). Specie endemike konsiderohen edhe rreth 85% e guackave të liqenit, 50 lloje kërmijsh, 20 lloje planktonesh si edhe mjaft lloje krimbash dhe sfungjerësh. Një pjesë e rëndësishme e ekosistemit të liqenit është edhe zona e tij litorale (thellësia deri në të cilën depërtojnë rrezet e diellit çka bën të mundur rritjen e bimëve ujore). Këtu zhvillojnë jetën mjaft mikroorganizma, hedhin vezët mjaft lloje peshqish dhe ngrenë foletë shumë lloje zogjsh.
Facilitete
- Park Kombëtar
- Monument Natyror
- Mundësi Parkimi
- Akses për Personat me Karrocë
- Monument Kulturor