Historia & Arkeologjia 1811 Aksesime

Kalaja e Blacës

Rreth Kalaja e Blacës

EMËRTIMI: Kalaja e Blacës
ADRESA: Fshati: Blacë, Njësia Administrative: Çërravë, Bashkia: Pogradec
PRONËSIA: Shtetërore
PËRDORIMI I SOTËM: Objekt me destinacion kulturor
PËRDORIMI FILLESTAR: Vendbanim i fortifikuar
DATIMI: Fundi i Mijëvjeçarit të II p.l.K – Mesjeta e Hershme
SHPALLJA MONUMENT: Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Vendimi nr.1886, dt.10/06/1973
KATEGORIA E MONUMENTIT:  I – E parë
PËRSHKRIMI: Kalaja e Blacës ndodhet në perëndim të fshatit Blacë. Kalaja ngrihet në majat e dy kodrave që ndahen nga njëra-tjetra vetëm nga një lug i ngushtë. Këto kodra janë pjesë e një vargu të gjatë kodrash, me drejtim lindje-perëndim, të cilat krijojnë një kufi natyror midis fushës së Korçës dhe fushgropës së Pogradecit. Kërkimet e para për gjurmë banimi në këtë kala i ka zhvilluar Muzeu i Pogradecit në fund të viteve 60’ ndërkohë që një ekspeditë e mëvonshme kërkimore, në fillim të viteve 70’, i përcaktoi më mirë karakteristikat e saj. Në bazë të tyre rezulton se datimi më i hershëm i kalasë i përket periudhës së Bronzit të vonë (rreth viteve 1500-1200 p.l.K) çka e fut atë në grupin e fortifikimeve të hershme ilire. Gjatë kësaj periudhe, si edhe gjatë periudhës së Hekurit të hershëm (rreth viteve 1200-1000 p.l.K), kalaja shtrihej në njëm hapësirë prej 15 ha e cila përfshinte dy akropolet që gjendeshin në majat e të dyja kodrave dhe rrethoheshin sejcila me nga një rrethim të veçantë, si edhe shpatet e kodrave që mbroheshin nga rrethimi i jashtëm. Muret e kësaj periudhe ndërtoheshin me gurë të papunuar që lidheshin në të thatë me njëri-tjetrin. Nga kërkimet e bëra në terren vihet re se gjurmë më të dendura banimi ka pasur akropoli jugor. Këtu, jeta është ripërtërirë më pas në periudhën Qytetare Ilire së cilës i takon një nga fazat e rifortifikimit të murit rrethues i cili kësaj rradhe është ndërtuar me gurë të punuar të lidhur me llaç. Fortifikimi është ripërdorur me një intensitet më të vogël jetese në periudhën Romake ndërkohë që ka rifituar një farë zhvillimi gjatë Antikitetit të vonë. Dyndjet barbare të ndodhura në zonë gjatë shek.VI-VII m.Kr ndikuan në rënien sërish të intensitetit të jetesës në këtë periudhë deri sa ajo u braktis përfundimisht në shek. VII-VIII m.Kr.
GJËNDJA AKTUALE: I gjithë rrethimi me mure është lehtësisht i dallueshëm mbi sipërfaqen e tokës dhe mund të vizitohet me lehtësi.
LARGËSIA NGA QËNDRA E QYTETIT TË POGRADECIT: 10 km në jug.
SI SHKOHET: Mund të shkohet me makinë/autobus deri në fshatin Blacë pasi rruga është në gjëndje shumë të mirë. Nga fshati Blacë deri në fortifikim këshillohet që rruga të bëhet me këmbë.

Facilitete

  • Monument Kulturor

Tags

Vendndodhja :

  • Adresa : Fshati: Blacë, Njësia Administrative: Çërravë, Bashkia: Pogradec