Historia & Arkeologjia 1302 Aksesime

Gradishta në fshatin Selcë e Poshtme

Rreth Gradishta në fshatin Selcë e Poshtme

EMËRTIMI: Gradishta në fshatin Selcë e Poshtme
ADRESA: Fshati: Selcë e Poshtme, Njësia Administrative: Proptisht, Bashkia: Pogradec
PRONËSIA: Shtetërore
PËRDORIMI I SOTËM: Objekt me destinacion kulturor
PËRDORIMI FILLESTAR: Vendbanim
DATIMI: Neoliti i Vonë (Mijëvjeçari VI p.l.K) – Antikiteti i Vonë (Shek. IV-VI m.Kr)
SHPALLJA MONUMENT: Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Vendimi nr. 586, Ligji nr. 609 dt. 24.05.1948 dhe Vendimi nr. 4874, Viti 1971
KATEGORIA E MONUMENTIT:  I – E parë
PËRSHKRIMI: Gradishta e Selcës, apo siç njihet ndryshe, qyteti ilir i Selcës së Poshtme, ndodhet në majën e kodrës mbi fshatin Selcë e Poshtme në krahinën e Mokrës së Poshtme. Ky qytet ka qënë kryeqëndra antike e krahinës së luginës së Sipërme të lumit Shkumbin. Zhvillimi i tij i veçantë i detyrohet pozitës zotëruese në masivin e krahinës dhe kontrollit të rrugëve kryesore që deri në fillimin e erës sonë kalonin drejt Maqedonisë nëpërmjet Grykës së Çervenakës. Zhvillimi i jetës në këtë qytet ka kaluar në tre faza: 1-Faza e parë i takon periudhës Paraqytetare. Ajo fillon nga Neoliti i vonë dhe me ndërprerje (Bakri dhe Bronzi i mesëm nuk kanë dhënë gjetje), arrin deri në shek.IV p.l.K. Vendbanimi në këtë periudhë ka pasur një intensitet të ulët jetese dhe ishte i kufizuar vetëm në pjesën më të lartë të kodrës. Ai ka qënë gjithashtu i pafortifikuar. 2-Faza e dytë nis në shek. IV p.l.K dhe përfundon në shek. I m.Kr. Ajo përfaqëson kulmin e zhvillimit të qytetit ilir të Selcës së Poshtme. Në këtë periudhë, qëndra e banuar shtrihej në një sipërfaqe të përgjithshme prej 18 ha që përfshinte akropolin në majën e kodrës (6 ha), lagjet e ngritura në shpatin lindor të kodrës, nekropolin dhe lagjet e jashtme të qytetit. Vendbanimi funksiononte si një qëndër zejtarie, tregëtie, ushtarake dhe administrative për të gjithë krahinën. Pozita e fortë e qytetit i dedikohej pikërisht kontrollit të rrugës tregëtare që kalonte fare pranë qytetit e cila në atë periudhë ishte e vetmja rrugë që lidhte krahinat e brendshme ilire me ato përreth liqenit të Ohrit. Ndërtimi i rrugës Egnatia, në shek. I p.l.K, e shmangu trasenë kryesore të kësaj rruge duke ndërtuar një të re në Qafën e Thanës. Përdorimi gjithmonë dhe më i shpeshtë i kësaj të fundit si rrugë tregëtare çoi në braktisjen e rrugës së mëparshme duke u bërë kështu një nga shkaqet kryesore të rënies së qytetit në këtë kohë. 3-Faza e tretë përfaqëson edhe fazën e fundit të zhvillimit të qytetit. Ajo i takon periudhës së Antikitetit të vonë (shek.IV-VI m.Kr) dhe karakterizohet nga shndërrimi i qytetit në një qëndër banimi të dorës së dytë e cila ishte tkurrur brenda mureve të një kështjelle me karakter strategjik. Qyteti është braktisur përfundimisht në shek.VI m.Kr, gjatë dyndjeve barbare në zonë.
GJËNDJA AKTUALE: Nga qyteti antik sot janë të dukshme vetëm fare pak rrënoja të banesave të tij të cilat ngrihen vetëm disa cm mbi sipërfaqen e tokës. Pjesa e qytetit antik që ndodhej në akropol (majën e kodrës) është pothuajse e pavizitueshme për shkak të bimësisë së dendur ndërsa pjesa tjetër, nën nekropolin, sot përdoret si tokë buke. Prej vitit 2010, hapësira territoriale ku shtrihet qyteti ilir është shpallur Zonë Arkeologjike A e mbrojtur me ligj nga shteti shqiptar.
LARGËSIA NGA QËNDRA E QYTETIT TË POGRADECIT: 42 km në veriperëndim.
SI SHKOHET: Aktualisht, rruga nga Pogradeci deri në fshatin Golik është në gjëndje shumë të mirë ndërsa nga degëzimi që merr për në drejtim të Mokrës (nga ky fshat) deri në Selcën e Poshtme rruga është në gjëndje të rënduar, për shkak të rikonstruksionit që po bëhet. Autobusët me më shumë se 30 pasagjerë këshillohet të shkojnë deri në fshatin Urakë. Nga ky fshat deri në Selcën e Poshtme, udhëtimi këshillohet të bëhet me minibusë apo makina të vogla.

Facilitete

  • Monument Kulturor

Tags

Vendndodhja :

  • Adresa : Fshati: Selcë e Poshtme, Njësia Administrative: Proptisht, Bashkia: Pogradec