Historia & Arkeologjia 1249 Aksesime

Bazilika Paleokristiane dhe Mozaikët e Linit

Rreth Bazilika Paleokristiane dhe Mozaikët e Linit

EMËRTIMI: Rrënojat e kishës paleokristiane dhe mozaikët e Linit
ADRESA: Fshati: Lin, Njësia Administrative: Udënisht, Bashkia: Pogradec
PRONËSIA: Shtetërore
PËRDORIMI I SOTËM: Objekt kulti me destinacion kulturor
PËRDORIMI FILLESTAR: Kishë, objekt kulti
DATIMI: Shek. V – VI m.Kr
SHPALLJA MONUMENT:Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Vendimi nr.1886, dt.10/06/1973
KATEGORIA E MONUMENTIT:  I – E parë
PËRSHKRIMI: Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah. Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.
Ajo përbëhej nga 7 ambiente gjithsej, dyshemetë e të cilave ishin zbukuruar që të gjitha me mozaikë. Bazilika, së bashku me ambientet që e rrethonin atë, ishte ndërtuar për herë të parë në shek. VI m.Kr si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohri i sotëm). Stili i ndërtimit të mozaikëve si edhe pozicionimi i baptisterit është i njëjtë me atë të bazilikës së Shën Erazmit në Ohër, çka tregon se ato mund të jenë ndërtuar në të njëjtën periudhë dhe nga e njëjta atelie. Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura rëndom edhe në bazilikat e tjera si: “euharistia” (zogj që çukisin rrushin), motive me gërsheta, skena nga bota ujore, bimore dhe ajo shtazore, zvastika (kryqi i thyer) dhe lulet por edhe motive që gjenden shumë rrallë si p.sh bletët.Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh (tesera) me përmasa 1x1 cm të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi.
Për nga planimetria, bazilika e Linit është një ndërtim me baptister me planimetri qëndrore i cili ka të ngjashëm në llojin e vet vetëm Baptisterin e Butrintit. Bazilika paleokristiane e Linit nuk ka njohur jetëgjatësi. Gërmimet kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, që përkon me pushtimin e zonës nga bullgarët, bazilika duhet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas diegies ajo nuk është rindërtuar më.
GJËNDJA AKTUALE:Rrënojat e bazilikës janë restauruar në vitin 2008 dhe sot janë në gjëndje shumë të mirë në të gjithë shtrirjen e tyre planimetrike. Mozaikët ruhen gjithashtu në gjëndje shumë të mirë dhe janë të mbuluar me një shtresë rëre për t’i ruajtur nga agjentët atmosferikë. I vetmi mozaik që është i hapur për vizitorët ka një sipërfaqe prej 1m² dhe ndodhet në ambientin e narteksit.
LARGËSIA NGA QËNDRA E QYTETIT TË POGRADECIT: 20 km në veri.
SI SHKOHET: Udhëtimi me makinë/autobus zgjat rreth 20 minuta. Autobusët me mbi 30 pasagjerë mund të hyjnë deri në qëndër të fshatit Lin ndërsa më tutje, deri në bazilikë udhëtimi këshillohet të bëhet në këmbë por nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Autobusët deri në 30 pasagjerë dhe makinat e vogla mund të ngjiten deri në majën e gadishullit, nën rrënojat e bazilikës.

Facilitete

  • Monument Kulturor

Tags

Vendndodhja :

  • Adresa : Fshati: Lin, Njësia Administrative: Udënisht, Bashkia: Pogradec