Pak histori për Pogradecin
Zbulimet e bëra nga gërmimet arkeologjike tregojnë se treva e Pogradecit ka qenë e banuar që në kohët e lashta. Popullimi i saj e ka zanafillën në periudhën e Neolitit të hershëm (6000 p.l.K) me vendbanimet që shtriheshin kryesisht përgjatë bregut të liqenit.
Gjatë periudhës së Bakrit (3000-2100 p.l.K) numri i vendbanimeve u rrit së tepërmi dhe u zgjerua veçanërisht në rrafshin gjeografik ku tashmë vendbanimet ngrihen edhe në krahinat kodrinore dhe malore.
Në periudhën e Bronzit (2100 – 1200 p.l.K), në trevën e Pogradecit, shfaqet fenomeni i fortifikimit të vendbanimeve me mure guri. Vendbanime të fortifikuara kemi në fshatin Blacë dhe në fshatin Shpellë. Këto vendbanime vazhdojnë të zhvillohen edhe gjatë periudhës së Hekurit (1200 – 500 p.l.K). Përveç shfaqjes së vendbanimeve të fortifikuara, gjatë periudhës së Bronzit dhe Hekurit shfaqet edhe fenomeni i varrimit me tuma, të cilat bëhen mënyra kryesore e varrimit deri në prag të periudhës Qytetare Ilire.
Megjithatë zhvillimin më të madh në lashtësi kjo trevë e mori gjatë periudhës Qytetare Ilire kur ajo u bë kryeqëndra e Mbretërisë së Parë Ilire (shek. V-IV p.l.K). Në këtë territor banonin fiset ilire të Enkelejve dhe të Desaretëve të cilët përmenden si fise me organizim shtetëror dhe ushtarak, si dhe me një qytetërim dhe kulturë të zhvilluar. Ata themeluan disa qytete të rëndësishme jo vetëm për nga ana ekonomike por edhe ajo kulturore. Ndër to, të identifikuara edhe në terren, përmendim Pelionin (Selca e Poshtme) dhe Enkelanën (Kalaja e Pogradecit).
Në gjysmën e parë të shek. II p.l.K, treva e Pogradecit ra nën sundimin romak. Pavarësisht kësaj, kjo trevë e ruajti zhvillimin e saj ekonomik falë ndërtimit të rrugës ndërkombëtare Egnatia që lidhte Dyrrahun me Kostandinopojën, ku degëzimet përshkronin vendbanimet përgjatë bregut të liqenit dhe krahinën e Mokrës.
Në vitin 359 m.Kr, perandoria Romake u nda në dy pjesë, në atë Romake dhe Bizantine. Në këtë të fundit u përfshi edhe treva e Pogradecit.
Në shekujt IV - VI m.Kr filluan dyndjet e para të popujve barbarë të cilët shkaktuan dëme të mëdha ekonomike, shoqërore dhe kulturore nëpër trevat ku kalonin. Në trevën e Pogradecit kaluan një numër popullsish si gotët, hunët dhe bullgarët por dëmet më të mëdha i shkaktuan sllavët, një pjesë e të cilëve u vendos përfundimisht në territoret lindore fqinje me trevën e Pogradecit. Dyndjet sllave ndikuan edhe në deformimin e emrave të vendbanimeve. Kështu vendbanimit të ngritur nën qytetin ilir të Enkelanës i ndërrohet emri duke iu sllavizuar në versionin Pogradec që do të thotë “nën qytet”.
Periudha e shek. IV – VI m.Kr (e njohur ndryshe edhe si Antikiteti i vonë), karakterizohet gjithashtu nga përhapja në masë e krishtërimit i cili, në vitin 313 u bë fe zyrtare e Perandorisë Bizantine ku bënte pjesë treva e Pogradecit. Për pasojë, në këtë territor fillojnë të ngrihen një numër i madh kishash dhe bazilikash. Nga këto monumente, vlen të përmendet bazilika e Linit me ambientet e saj të shtruar me mozaikë shumëngjyrësh si dhe me motive kishtare dhe të jetës së përditshme.
Në fillim të Mesjetës, vendi u quajt Arbëri dhe me kalimin e shekujve u nda në principata që drejtoheshin nga familjet aristokrate shqiptare. Në varësi të rrethanave politike, treva e Pogradecit kalonte herë nën ndikimin e familjes së Balshajve, herë nën ndikimin e Gropajve të Dibrës e herë nën ndikimin e Muzakajve.
Ndarja u fashit disi në epokën e Skënderbeut kur treva jonë u bë pjesë e shtetit arbëror të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti.
Në fundin e shek. XV – fillimin e shek. XVI, vendi pushtohet përfundimisht nga osmanët. Tashmë Porta e Lartë bëri ndarjen e Shqipërisë në katër vilajete ku sejcili vilajet kishte nën varësi disa sanxhakë. Treva e Pogradecit bënte pjesë në vilajetin e Manastirit dhe ishte nën varësinë e drejtpërdrejtë të sanxhakut të Ohrit.
Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, treva e Pogradecit bëhet pjesë e shtetit të ri shqiptar dhe futet në një fazë të re zhvillimi e cila u karakterizua nga luhatjet që i kushtëzoheshin prej rrethanave politike kjo kryesisht falë zhvillimit të dy luftërave botërore në vitet 1914 – 1918 dhe 1939 – 1944.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore treva e Pogradecit shndërrohet në një qendër të rëndësishme të turizmit por edhe të industrisë minerare.